Ne jemi një grup rinor me ide të arta, kështu që kemi krijuar shoqatën tonë “Ideartë” në shërbim të banorëve të Peqinit, qytetit dhe Shqipërisë. Në Fokus sjell storie pozitive nga të rinjtë vullnetarë dhe komuniteti ynë që na frymëzojnë. Kësaj here po ju prezantojmë Izaora Çollaku, një nga themelueset e shoqatës “Ideartë“. 

Izaora Çollaku ka lindur më datë 04.04.1995. Rritur dhe banuese në Peqin, ku edhe ndoqi arsimimin e saj përkatësisht në Shkollën 9-vjeçare “Adem Bedalli” dhe në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Zihni Magani”, duke qenë pjesë e senateve të shkollave dhe në 2012-n Presidente e Shkollës së Mesme. Gjatë periudhës së qenit nxënëse është spikatur në fushën e poezisë dhe muzikës. Ajo ka qenë gjithmonë e pranishme në aktivitet artistike-kulturore të organizuara nga Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Bashkia Peqin, por edhe jashtë saj, vlerësuar me çmime në çdo konkurs, ndër të tjera përmendim “Prezantuesja më e mirë” dhe “Çmimi i Parë i Këngës” në “Maratonën Rinore 2013’’.

Aktualisht, është e punësuar nga “MEDPAK” për projektin “Pa Pengesa- Modele të përfshirjes sociale!”, pa u shkëputur nga ndjekja e masterit  për “Gjuhë-Letërsi” në Universitetin e Tiranës, ku edhe atje përfshihet në aktivitete letraro-artistike e në nisma vullnetare bamirësie. Lidhja e fortë me artin dhe dëshira për të qenë aktive sa më shumë, në të mirë të vendlindje së saj, bënë që në vitin 2015 të ishte pjesë e themeluesve të grupit rinor “Ideartë”.

12642449_510983112396827_7001897640404603430_n

Çfarë ju shtyu të jeni pjesë e shoqatës “Ideartë”?

Izaora Çollaku: Qyteti im është vendi i cilësuar nga “Edit Durham” si “Thesar i vogël, me vlerë të madhe”. Në 2015-n, shumë entuziaste bashkë me miqtë e mi, menduam se organizimi i një grupi vullnetarësh i cili do të ndihmonte sadopak në shpluhurosjen e të shkuarës së Klaudianës, gjallërimin e qytetit, por mbi të gjitha për fituar eksperienca të larmishme, do të ishte një kontribut me vlerë. Ish-presidenti amerikan Kennedy ka thënë: “Mos pyesni çfarë bëri vendi im për mua, por pyesni veten çfarë ju mund të bëni për të”, fjalë këto mjaft inkurajuese!

Gjithmonë, pavarësisht impenjimeve, jam munduar të mos mungoj në asnjë takim, aktivitet të grupit. Është kohë e shpenzuar mrekullisht bukur, pasi përpos organizimeve humanitare, sociale, kulturore, ne shpërblehemi me buzëqeshjet e nxënësve pjesëmarrës në “Maratonën me biçikleta”, shkëlqimin e syve të personave në nevojë gjatë bamirësisë së fundvitit, fjalët e bukura përkrahëse të çdo qytetari i cili përqafon nismat tona.

Si u prit aktiviteti nga banorët e Peqinit dhe komuna?

Izaora Çollaku: Në çdo aktivitet, kemi gjetur një përkrahje të pakusht nga banorët, të cilët nxirrnin në pah virtytet e tyre, zemërgjerësinë, dashurinë për artin, humanitetin; mikpritës të organizimeve tona dhe një dorë mbështetëse e gjithmonshme. Theksoj se pavarësisht ideve dhe aktivizimit tonë, rol kyç që grupi ynë sa vjen edhe fuqizohet, është pikërisht falë banorëve, të vegjël e të mëdhenj.

Do ishte e pamundur për ne të organizonim ‘Maratonën (e përvitshme tashmë) të Biçikletave’ nëse do të mungonte mbështetja e organeve kompetente dhe e mësuesve të fizkulturës në dy shkollat 9-vjeçare si Brikena Kosta dhe Bledar Zyba, po kaq e pamundur do të ishte të grumbullonim fonde për t’i konvertuar më pas në ushqime e veshje për familjet më në nevojë nëse bizneset apo qytetarë të thjeshtë nuk do të përfshiheshin.

Ndaj gjej edhe rastin, t’i falënderoj e t’i ftoj, sidomos rininë, të bëhen pjesë e “Ideartë”, të shfrytëzojnë idetë e tyre në fusha të ndryshme dhe të mbushen me emocione e kënaqësi që vetëm aktivitete të tilla mund t’i dhurojnë!

14468606_612772518884552_8513046272319033242_o

Çfarë ju motivon ju për të qenë pjesë e aktiviteteve social-kulturore të grupit?

Izaora Çollaku: Motivi im është vendlindja ime! Me të shkuarën që na bën krenarë të gjithëve, më shton dëshirën për t’i dhuruar në të tashmen asaj diçka nga vetja. Një shkrimtar i preferuar imi, G.G.Marquez, monotoninë e ka krahasuar me ndryshkun, aktivitetet tona social-kulturore janë eliminuesit më frytdhënës të rutinës, monotonisë, ndryshkut të përditshëm dhe është vetë qyteti që të jep mundësinë t’ia shtosh ende ngjyrat, t’ia pastrosh ndryshkun.

Çfarë ju pëlqen më tepër te shoqata “Ideartë”?

Izaora Çollaku: Miqësia, bashkëpunimi, respekti karshi njëri-tjetrit, vendosja, besimi! Çdo çast i kaluar me ‘ideartët’ ! Kur ne mblidhemi për takimet tona, përpos ideve të shumëngjyrshme për të cilat bisedojmë, apo nismat që ndërmarrim, kënaqemi shumë, argëtohemi dhe ngopim shpirtin me të qeshura!

Si e konsideroni vullnetarizmin për bamirësi?

Izaora Çollaku: Më pëlqen të vendos këtu fjalët e Nënë Terezës “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe!” Edhe bamirësia jonë e përvitshme tashmë gjatë festave të fundvitit, nën sloganin “Bamirësia nuk të varfëron”, nuk e ndryshon dot ndoshta gjendjen e familjeve që ne ndihmojmë, por i gëzon ato, janë ndihmesë e vogël dhe burim buzëqeshjesh, që ndërrimi i viteve t’i gjej edhe ato familje në pamundësi ekonomike me tryezë të shtruar! Ajo çka kam konstatuar, nga përvoja ime tashmë, është që në bamirësi jemi më shumë ne kontribuuesit që shpërblehemi, sepse ajo pakëz që japim na kthehet pas me përqafime, urime dhe shumë, shumë dashuri!

Takim me shkrimtarin Fatos Kongoli,gjatë një aktiviteti në UT
Takim me shkrimtarin Fatos Kongoli, gjatë një aktiviteti në UT

Cilat janë 3 vlera/vënde që vlerësoni te qyteti i Peqinit?

Izaora Çollaku: Po i grupoj në dy grupe, i pari me vlera dhe i dyti me vende, ato që mua më bëjnë krenare:

  1. Dashamirësia, mikpritja, dashuria për artin e sportin, zemërgjerësia e banorëve punëtorë të Peqinit etj.
  2. Kalaja e qytetit, Kulla e Sahatit, Rruga Egnatia etj.

Këshilla juaj për të rinjtë që të angazhohen në zbukurimin e jetës në Peqin?

Izaora Çollaku: Ta shfrytëzojnë potencialin e tyre për mirë, të angazhohen dhe të kënaqen! Jam e sigurt që të gjithë munden ‘ta ndryshojnë botën e tyre’; jemi aq të ndryshëm në karakteristika e ide, të cilat po i bashkuam, mendoj se krijojmë një tablo unike, të cilën kur të kthejmë kokën pas për ta parë, do themi të lumtur: ‘‘Po! Edhe unë kam kontribuuar për vendin tim! Edhe unë kam përjetuar eksperienca të pakthyeshme! Edhe unë e kam zbukuruar qytetin! Edhe unë kam qenë nxitës i një të nesërmeje më të bukur!’’

Mesazhi juaj për grupin “Ideartë”.

Izaora Çollaku: Të kërkojmë dhe të japim gjithmonë më tepër prej vetes, të mos ndalemi! Të vazhdojmë të përkrahim dhe mbështesim njëri-tjetrin, kështu shpirti i grupit do shkëlqejë gjithnjë e më tepër!

13217224_555729204588884_4420964274540592212_o

16403046_678180252343778_5734679518761587681_o

Advertisements

One thought on “Në Fokus: Izaora Çollaku, motivi im është vendlindja ime

  1. Ua!! Jam shume krenare me te gjithe ju Grupin Idearte ( Emri eshte shume domethenes) !! Izaora,e lexova me vemendje intervisten tende dhe tek ty shoh nje Udhehqese te lindur e me shume Vizion po ashtu dhe nje vajze shume inteligjente e me njohuri. Kur degjoj qe njerzit thone ” nuk behet Shqiperia” une ju them Se nje dite disa te Rinj , si Ju do ta bejne Shqiperine. Jeni te gjithe te mrekullueshem! Me suksese! Une jetoj jashte Shqiperise prej shume vitesh, prandaj kjo me entuziasmon. Diku jam takuar dhe me Ermira Babamusta. Ju shkofte mbare ! Me shkruaj nqse ke nevoje per ndonje ndihme sa do te vogel. Lum si Peqini qe ju ka !Nuk dua ta le pa shkruar: Te falenderoj dhe per shqipen e paster e shume te bukur! 😀😀

    Liked by 1 person

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s